Emergjencat Civile pas Reformës Administrative*

Fundi i vitit 2018 e ka gjetur qarkun e Kukësit me reshje dëbore intensive, që kanë sjellë edhe probleme në qarkullimin rrugor dhe bllokimin e disa fshatrave të Kukësit. Sipas strukturave të Emergjencave Civile, në tri bashkitë e Qarkut të Kukësit ka disa fshatra të bllokuar.  Në Bashkinë e Kukësit janë disa njësi administrative të bllokuara si: Shishtavec, Grykë-Çajë, Zapod, Malzi, Topojan dhe Bushtricë. Banorët duken të irrituar dhe shprehen të pakënaqur, si nga pushteti qendror dhe ai lokal, pasi prej ditësh nuk iu ka ardhur askush në ndihmë për hapjen e rrugës.  Rufat Vllacaj, kryeplaku i fshatit Pakisht, të njësisë administrative Zapod shprehet: “Jemi pa energji elektrike, rrugët janë të bllokuara dhe nuk mund të lëvizim as për probleme shëndetësore”.

“Jemi pa energji elektrike, rrugët janë të bllokuara dhe nuk mund të lëvizim as për probleme shëndetësore”.

Ndërsa Izet Spahiu nga Kolesiani shprehet: Nuk kam shtëpi të madhe. Jemi 6 anëtarë, që jetojmë vetëm në një dhomë dhe dëbora ka rrezikur shembjen edhe të kësaj dhome. Fëmijët i kam të sëmurë”. Ndërsa, banorët e Shishtavecit, zonës që pritet të ketë zhvillim të madh në fushën e turizmit, pasi ështe futur në projektin e 100 fshatrave, nuk presin të dalë dielli dhe të hapë rrugët. Ata e marrin situatën vetë në dorë siç duket edhe nga fotoja, me lopata në duar, si në mesjetë.

Gjithashtu, shqetësime nga banorët për situatën e borës ka pasur edhe në fshatrat e Hasit në Cahan dhe Domaj, si dhe në Tropojë. Martir Prebibaj nga fshati Curraj i Epërm, i njësisë administrative Lekbi

baj të Tropojës, kërkon ndimë, pasi prej ditësh është i bllokuar dhe nuk ka rezerva ushqimore. Kjo situatë alarmante që ka përfshirë Verilindjen e Shqipërisë, duhet të ketë vëmendjen e menjëhershme, si nga pushteti vendor, ashtu edhe ai lokal.  Bashkia e Kukësit, një bashki e vogël para disa vitesh dhe tani, pas ndarjes se reformës territoriale një bashki e madhe, por e pafinacuar, ka probleme me njësitë administrative me terren të thyer. Buxheti që bashkia ka, nuk mundëson as nevojat më minimale që kërkojnë banorët e rrethit të Kukësit.

Bashkia e Kukësit përfshin në administrimin e vet 15 Njësi Administrative. Duke u bazuar në klasifikimin e ri të zonave urbane dhe rurale, të realizuar mbas Censusit 2011, Bashkia Kukës dallohet për karakterin e saj rural

. Ajo përfshin 1 qendër urbane dhe 14 zona administrative, me 84 fshatra. Nga pikpamja e madhësisë së territorit, pjesa më e madhe e territorit i përket Njësisë Administrative Malzi, me përkatësisht 16.58% të territorit, e ndjekur nga Grykë-Çaja me 9.97%, ndërsa pjesën më të vogël e zë qyteti i Kukësit, me përkatësisht 1.41% të totalit të territorit të Bashkisë së Kukësit.

Në një nga mbledhjet e Shtabit të Emergjencave Civile, në Prefekturën e Kukësit, kishte përplasje mes sekretarit te bashkisë së Kukësit dhe Prefektit, për rrugët dhe fondin që kanë këto rrugë. Sipas sekretarit të bashkisë së Kukësit, z. Bujar Muçmata, rruga Kukës – Shishtavec është e papërballushme për Bashkinë e Kukësit dhe se ajo rrugë duhet të merret në administrim nga ARRSH.  Menjëherë pas ndarjes territoriale, bashkisë së Kukësit i kaluan mbi 500 km rrugë në administrim, por Bashkia nuk ka kapacitet financiar, apo edhe mjete për të mirëmbajtur këto km rrugë.

Në një prononcim, kryetari i Bashkisë Kukës, z. Bashkim Shehu shprehet: ”Mirëmbajtja nga ana financiare është e pamundur. Ky është apel për ndihmë, pasi kjo është një rrugë strategjike për zhvillimin e turizmit.”

Rruga Kukës – Shishtavec, deri në vitin 2015 ka qenë në inventarin e rrugëve kombëtare, por për shkak të financimit, ajo i kaloi njësive vendore. Me përfundimin e financimit, i ështe kërkuar qeverise që të marrë sërisht vendim për transferimin e saj, por për këtë ende nuk ka një pergjigjje.   Kryebashkiaku i Kukësit shprehet: “Janë rreth 500 milion lekë që duhen për mirmbajtjen e saj. Kjo shumë është e barabartë me 75% të gjithë buxhetit të Bashkisë. Kjo tregon edhe njëherë se ndarja territoriale është një dështim, nëse nuk mbështetet nga qeveria dhe institucionet qendrore.” Pushteti qendror dhe ai lokal nuk mbajnë përgjegjësi dhe ia hedhin fajin njëri-tjetrit për çdo problem që lidhet me banorët, mosmarrëveshje për çështje kompetencash midis tyre.

Çdo banor duhet të trajtohet i njëjtë, si ai që jeton në qytet dhe ai që jeton në fshat. Bashkia mendon më shume për banorët që jetojnë në qytet sesa për banorërt e zonave rurale. Një rol tjetër të rëndësishëm zë edhe media sociale, ku çdo qytetar, falë portaleve informative apo edhe kanalave televizive, ankohet për problemet e tyre.   Një problem tjetër i rëndësishëm që pushteti lokal nuk mund ta ndalojë është ndërtimi i HEC-ve, pasi lejet vijnë direkt nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Banorët e fshatrave të Kukësit, ku do ndërtohen HEC-et kanë paralajmëruar protesta të fuqishme, pasi nuk përfitojnë asgjë nga ndërtimi i këtyre HEC-eve, veç faktit që shkatërrohet natyra, fauna dhe flora. As Bashkia e Kukësit nuk ka përfituar asgjë nga ndërtimi I tyre, pasi asnjë nga HEC-et e ndërtuara nuk paguan detyrimet në Bashkinë e Kukësit. Në qoftë se HEC-et e ndërtuara do të paguanin detyrimet e tyre, do të rritej edhe buxheti i bashkisë dhe do të mundësohej edhe hapja e rrugëve të zonave rurale.

Qeveria vërtet, mirë apo keq, e bëri reformën e re në pushtetin vendor, por mbajti po stilin e vjetër të ndarjes së buxheteve, të decentralizimit të marrëdhënieve ndërinstitucionele, ku pesha e pushtetit qendror dhe ndërhyrjet e tyre në kurriz të bashkive mbeten problematike. Që kjo reformë ka probleme dhe këto po dëshmohen dita-ditës nga vetë qytetarët dhe vetë bashkitë, tashmë kjo dihet dhe nuk është e shëndetshme. Që kjo reformë ka problem, është dëshmuar nga aktorë dhe partnerë, vendas dhe të huaj, madje raporti i Kongresit të Autoriteteve Vendore i KiE-s, në sesionin e vitit të kaluar nënvizonte një gjë të tillë. Që kjo reformë ka probleme të mëdha, dëshmohet edhe nga raportet e Ministrisë së Financave, ku tregohet për balancë dhe arritje jo të mirë të bashkive; ku tregohet me fakte dhe shifra se, më shumë se gjysma e bashkive I sigurojnë të ardhurat në masën mbi 50% nga buxheti qendror; mbi 13 bashki nuk janë në gjendje të shlyejnë detyrimet ndaj të tretëve dhe të paguajnë sigurimet shoqërore ndër vite dhe se një pjesë e madhe e bashkive kanë borxhe dhe janë në vështirësi financiare dhe pamundësi për të ofruar shërbimet ndaj qytetarëve.

*Ky shkrim është bërë posaçërisht për projektin “MOB KIT PËR TRANSPARENCË – Monitorimi i performancës së Bashkive dhe Këshillave në qarkun Kukës si instrument për rritjen e aksesit, mbulimit dhe impaktit të shërbimeve në NJ/A periferike dhe rurale” qe zbatohet nga Qendra për Zhvillim dhe Integrim (CDI) dhe mbështetet nga Lëviz Albania.   Të gjitha opinionet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi personale e autorit, Z. Ermal Hallaçi, dhe nuk përbëjnë kurrsesi opinionin e CDI apo të Leviz Albania.

 

Author: Emiriola Veliu

 

 

 

Leave a Reply